Kosova përballë zgjedhjeve lokale. Ekonomi e shifrave apo ekonomi e qytetarëve?

22 shtator 2025 | 11:57

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Iluzioni i rritjes!

Për vite me radhë jam marrë me ekonominë e Kosovës, si analist, si përfaqësues i biznesit dhe si qytetar i këtij vendi. Kam dëgjuar shpallje për rritje ekonomike, për progres, për fitore në statistika. Por kam parë edhe fytyrën e vërtetë të tregut: qytetarin që varfërohet përditë nga inflacioni, biznesin që mbijeton me kosto të larta, të rinjtë që largohen sepse nuk shohin perspektivë.
Kosova sot është në udhëkryq. Në letër kemi rritje; në realitet kemi varfërim. Në fjalime kemi sovranitet; në përditshmëri kemi pasiguri. Dhe pikërisht në këtë sfond mbahen zgjedhjet komunale – një provë e madhe për të ardhmen e vendit.
Inflacioni: tatimi i padukshëm mbi qytetarin
Inflacioni është bërë problemi më i madh i përditshëm. Çdo muaj, qytetarët blejnë më pak me të njëjtat të ardhura. Një rritje nominale e PBB-së pa kontroll mbi inflacionin është një mashtrim makroekonomik. Siç thoshte Milton Friedman, inflacioni është tatimi më i padrejtë, sepse e godet më shumë atë që ka më pak. Kjo është ajo që po ndodh sot: më të varfrit dhe shtresa e mesme po mbajnë barrën e “rritjes” së shpallur në konferenca.

Nga toka te kapitali: themelet e krisura të ekonomisë

Problemet nuk kufizohen te çmimet. Ato shtrihen në çdo sektor, duke e bërë ekonominë të brishtë.
Bujqësia mbetet e harruar. Tokat janë të fragmentuara, mekanizimi i kufizuar, zinxhiri i përpunimit pothuaj inekzistent. Kosova importon ushqime bazë ndërkohë që fermeri vendas lufton të shesë prodhimin. Një vend që nuk ushqen vetveten, nuk mbron dot as sovranitetin ekonomik.
Energjia është pasiguria më e madhe. Termocentralet e vjetra nuk garantojnë furnizim stabil, humbjet në rrjet janë alarmante, çmimet rriten. Bizneset kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër tarifave – dhe kur biznesi proteston për energjinë, ky nuk është më problem teknik, por krizë shoqërore.
Industria dhe eksportet janë të nënzhvilluara. Pa fabrika moderne, pa teknologji, pa certifikime ndërkombëtare, Kosova mbetet konsumator, jo prodhues. Deficiti tregtar nuk është vetëm statistikë, është dëshmi e një ekonomie që nuk gjeneron vlerë të shtuar.
Sistemi financiar ka humbur moralin e tij. Bankat nuk financojnë prodhim e inovacion, por spekulim me pasuri të paluajtshme. Edhe pse raportet flasin për diversifikim kredish, realiteti është ndryshe: shumica e huave përdoren për tokë dhe banesa, në Kosovë e Shqipëri. Ky është model i rrezikshëm, sepse nuk krijon zhvillim, por flluska.
Investimet e huaja nuk po hyjnë aty ku duhet. Në vend të fabrikave, kapitali i huaj kanalizohet në pasuri të paluajtshme. Ky kapital nuk krijon vende pune, nuk sjell teknologji, nuk rrit eksportin. Përkundrazi, rrit çmimin e banesave, duke e bërë strehimin luks për qytetarët.
Arsimi dhe puna janë kthyer në paradoks. Universitetet nxjerrin diploma, por jo shkathtësi praktike. Të rinjtë nuk gjejnë punë dhe ikin. Kosova humb kapitalin më të çmuar – rininë. Një vend që humb rininë, humb të ardhmen.
Dhe mbi të gjitha, institucionet e dobëta e rëndojnë çdo plagë. Ligjet ekzistojnë, por nuk zbatohen. Gjykatat vonojnë, korrupsioni i gërryen institucionet, burokracia ngulfat biznesin. Pa institucione të forta, asnjë ekonomi nuk ngrihet.

Roli i komunave: fuqia që shpesh harrohet

Shumëkush mendon se vetëm qeveria qendrore mund të ndryshojë ekonominë. Në fakt, pushteti lokal ka kompetenca reale që prekin përditshmërinë e qytetarit. Dhe pikërisht kjo e bën të rëndësishme peshën e zgjedhjeve që po mbahen.
• Komunat kontrollojnë urbanizimin dhe tregun e ndërtimit. Një komunë mund të ndalë ndërtimet spekulative, të vendosë rregull dhe të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e banesave.
• Komunat krijojnë tregje lokale. Nëse fermeri ka hapësirë për të shitur prodhimin, qytetari blen më lirë dhe ekonomia lokale merr frymë.
• Komunat ofrojnë shërbime publike – ujë, mbeturina, ndriçim, transport lokal. Cilësia e këtyre shërbimeve përcakton standardin e jetesës dhe kostot për biznesin.
• Komunat mund të lidhin partneritete publike-private për infrastrukturë, parqe industriale, shërbime të reja.
• Komunat mund të jenë shembull transparence. Një kryetar që udhëheq me llogaridhënie e forcon besimin në shtet – dhe besimi është kapital i pazëvendësueshëm.
Nëse qeveria qendrore flet për shifra, komuna flet për jetën e përditshme. Aty matet shteti.

Përfundim: nga iluzioni te përgjegjësia

Kosova nuk ka luksin të vazhdojë me dy iluzione: me nacionalizëm të zbrazët dhe me rritje ekonomike në letër. Një shtet nuk matet me raporte statistikash, por me dinjitetin e qytetarit të tij. Një ekonomi e vërtetë është ajo që i jep të riut arsye të qëndrojë, që i jep punëtorit siguri, që i jep familjes banesë të përballueshme.
Si ekonomist dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike, e di nga përvoja se besimi i qytetarit dhe i biznesit nuk fitohet me fjalë, por me institucione funksionale dhe me ekonomi reale. Kryetarët që do të zgjidhen në këto zgjedhje kanë përgjegjësi historike: të tregojnë se pushteti lokal mund të bëhet ura e zhvillimit, jo thjesht zyra e administrimit.
Kosova ka nevojë për një kthesë. Jo më iluzione, por vepra. Jo më ekonomi të shifrave, por ekonomi të qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teatri “Châtelet” në Paris do ta presë sonte ceremoninë e…