
Kosova përballet me Shqipërinë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave sot (e enjte) e zhvillon ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”.
“Dardanet” ndeshjen e parë e zhvillojnë kundër Shqipërisë në stadiumin “Elbasan Arena” nga ora 19:00. Pjesë e ekspeditës është edhe kryetarja e komisionit për futbollin e femrave, njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi. Përzgjedhësja Afërdita Fazlija për këtë ndeshje ka në dispozicion 24 futbolliste, prej të cilave 11 janë nga klubet evropiane, derisa pjesa tjetër janë lojtare nga kampionati vendor.
Në kampin e “dardaneve” ekziston optimizëm për nismë të mbarë të këtyre kualifikueseve. Kosova të mërkurën pasdite zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Elbasan Arena”, derisa të enjten do të përballet me vashat kuqezi. Kosova bën pjesë në Grupin F, ku janë të përfshira edhe Norvegjia, Polonia, Belgjika dhe Armenia. Ndeshjen e radhës “dardanet” do ta zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Norvegjisë.
/Epoka e re/