Kosova pranohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

18 tetor 2025 | 12:41

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova.

Sipas njoftimit, ky institucion këshilldhënës në strukturat e BE-së, ka ftuar organizatat e shoqërisë civile në Kosovë që të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor në kuadër të Nismës së shteteve kandidate për zgjerim (ECMc), të iniciuar më 2023.

“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në ueb-faqen e këtij komuniteti, raporton Rel.

Në shkurt të vitit 2024, EESC-ja u bë institucioni i parë i BE-së që pranoi anëtarë nga shtetet kandidate. Megjithatë, atëbotë Kosova nuk u përfshi, pasi është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Më 2024, ky komitet pranoi si anëtar Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

Nga ky komitet ishte thënë se nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, të numëruara edhe votat nga…