Kosova regjistron 6 vrasje në 11 ditë, 5 persona u vranë vetëm në dy ditët e fundit

12 gusht 2025 | 20:52

Për më pak se 48 orë në Kosovë ndodhën 5 vrasje, tri në Gjilan, një në Prizren e një në Prishtinë. Derisa organet e drejtësisë janë në kërkim edhe më tutje të disa prej autorëve të këtyre vrasjeve, sot ka arritur ta arrestojë të dyshuarin që ka pranuar fajësinë për vrasjen dhe varrosjen e një personi në Baincë të Lipjanit që kishte ndodhur ditë më parë.

6 persona u vranë, e kryerësit e disa prej tyre ende nuk janë arrestuar. Mbrëmjen e së hënës, në lagjen Hajvali të Prishtinës, mbeti i vrarë një person.

I dyshuari ndonëse është identifikuar nga Policia e Kosovës, Xhemajl Nuhiu edhe më tutje vazhdon të mbetet në arrati.

Sipas raporteve të policisë e prokurorisë, viktima është dërguar menjëherë në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Po ashtu në vendin e ngjarjes është gjetur edhe gëzhoja e armës së zjarrit e siç raportuan mediat sherri ishte banal dhe nisi për një mosmarrëveshje në komunikacion.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur në lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri. Viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij. Menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policise se Kosoves, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xh. N., i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale.”

E këtë të martë është arritur të arrestohet i dyshuari për vrasjen e 4 gushtit që ndodhi në Baicë të Lipjanit, ku Enver Bajraktari u gjet i groposur në një arë të mbjell me misër.

Sipas prokurorisë në Prishtinë, i dyshuari Top Kolshi, që është nga i njëjti fshat me viktimën, ka pranuar se ka kryer vrasjes, dhe është dërguar në mbajtje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ku viktimë ishte tani i ndjeri Enver Bajraktari nga Lipjani, njofton opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me veprime të pandërprera hetimore, që nga momenti i raportimit të rastit, sot më 12.08.2025 është realizuar një urdhër kontroll në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit. Si rezultat i këtij veprimi policor në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T.K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale. I dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit, dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore. Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”.

 

 

Sipas Armend Halimit, nga Instituti për Studime të Sigurisë, situata e krijuar ditëve të fundit është shqetësuese dhe se institucionet duhet të e trajtojnë më me seriozitet.

“Vrasjet dhe çdo dukuri tjetër negative vazhdon të jetë në nivel shqetësuese përkundër faktit se në tërësi rastet e kriminalitetit kanë rënie, mirëpo vazhdojnë të jenë në trend të lartë, sidomos vrasjet e karakterizojnë këtë vend dhe niveli i tyre është shqetësuese, nëse flasim për faktorët osë shkaktarët po shohim se vijnë për arsye të vetëgjyqësisë apo zgjidhjes së problemeve ose mosmarrveshjeve të qytetarëve duke anashakluar zgjidhjen përmes institucioneve”, ka thënë Halimi.

 

 

E në kërkim nga organet e drejtësisë vazhdojnë të jenë edhe më tutje tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë që ndodhi në qendër të Gjilanit të dielën. Të dyshuarit për këtë rast janë Mefail Shkodra e dy djemtë e tij, të cilët janë edhe më tutje në arrati.

Në po këtë ditë, në Prizren një person vdiq nga plagët e marra me thikë. Viktima dhe i dyshuari që gjendet ne paraburgim që ishin shokë mes vete, kishin nxitur fillimisht qentë e tyre në një përleshje e më pas ishin fjalosur mes vete, fjalosje që përfundojë me vrasje të rëndë./RTVD

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Në Istog do të fitojmë, sepse qyteti ynë ka vendosur…