Kosova s’e zbaton detyrimin për t’i liruar nga tarifa doganore automjetet me origjinë BE-në
Buxheti i Kosovës ka arkëtuar 171 milionë euro përgjatë një viti, vetëm nga taksat doganore për automjetet e importuara nga vende të BE-së. Kryeministri në detyrë ka premtuar heqjen e tarifës prej 10 për qind, por vendimi nuk është marrë. Masa është edhe obligim që Kosova e ka marrë me nënshkrimin e MSA-së.
Mbi 570 milionë euro është shuma e vlerës së veturave që nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), Kosova e ka importuar gjatë vitit të shkuar.
E nga taksat për importimin e tyre, arka e shtetit u mbush për 171 milionë euro, duke përfshirë këtu doganën prej 10 për qind, akcizën si dhe TVSH-në prej 18 për qind, shumë kjo që e paguan qytetarët që blenë automjete.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për tarifë doganore prej 10 për qind, buxheti ka përfituar mbi 40 milionë euro.
Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar se do ta heqë këtë obligim doganor, me të marrë mandatin e tretë.
“Për veturat e importuara nga shtetet e Bashkimit Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind gjë që do të mundësojë kosto më të ulët për qytetarët për blerjen e veturave”, pati premtuar ai.
Reduktimi i tarifës doganore deri në largim të tërësishëm të saj është obligim që Kosova e ka marrë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill 2016.
Bazuar në të, largimi i takës doganore duhet të bëhet nga 1 janari i vitit të gjashtë pas hyrjes në fuqi të MSA-së, që i bie nga tre vjet më parë.
KOHA ka kërkuar prej disa ditësh përgjigje nga Dogana për arsyet e moszbatimit të kësaj pike, por nuk ka marrë përgjigje.
Aktualisht veturat e reja që hyjnë nga vendet e BE-së nuk paguajnë taksë doganore, por vetëm akcizën dhe TVSh-në.
Në këtë çështje nuk është përgjigjur as Qeveria e Kosovës.
Por, eksponentë të partisë në pushtet, gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe në ato të 28 dhjetorit thonë se do të largohet taksa, duke thjeshtëzuar edhe kriteret për dëshminë e origjinës.
“Do të parashihen që të lirohen edhe kriteret sa i përket deklarimit të origjinës, siç e dimë për veturat e përdorura rëndomë ka pasur problem që të dihet nëse kanë origjinë të Evropës apo jo dhe rrjedhimisht nuk janë liruar. Por me masat që do t’i ndërmarrim edhe kjo pikë do të zgjidhet dhe automjetet që vijnë nga Evropa të jenë të liruara nga kjo taksë”, pati thënë Hekuran Murati, i cili është ministër në detyrë i Financave.
Të njëjtën e pati theksuar edhe Hysen Durminshi, i cili ushtron detyrën e ministrit të Infrastrukturës.
“Do ta heqim taksën doganore 10 për qind dhe kufizimin 10-vjeçar për veturat nga BE-ja, duke vendosur kriter emetimin e gazrave sipas standardeve evropiane”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Doganës, që nga 2022-ta në Kosovë janë importuar vetura në vlerë mbi 1 miliard e 970 milionë euro.



