KOSOVA SI NJË PROVË E LIGJIT DHE MORALIT NË SFERËN NDËRKOMBËTARE

22 korrik 2025 | 14:23

(Vigan Qorrolli është zëvendësministër i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës)

[22 korrik 2010: GjND dhe Kosova si subjekt i së drejtës ndërkombëtare]

I.

Deklarata e Pavarësisë si akt politik që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare

Një nga themelet konceptuale të mendimit këshilldhënës të GjND-së është ndarja e qartë ndërmjet aktit të deklarimit të pavarësisë dhe aktit të shpalljes së një shteti në kundërshtim me ndonjë normë juridike. Gjykata konkludoi qartë se:

“E drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë ndaj shpalljes së pavarësisë.”

Kjo do të thotë se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e njëanshme të pavarësisë dhe se veprimi i Kosovës nuk e ka shkelur asnjë normë ndërkombëtare të përshkruar pozitivisht. Nga kjo zbërthehet një e vërtetë themelore: e drejta ndërkombëtare nuk i jep monopolin shtetit ekzistues për të ndaluar lindjen e një shteti të ri.

II.

Akti i vetëvendosjes nuk kufizohet vetëm te dekolonizimi klasik

Kosova, edhe pse formalisht nuk ishte koloni në sensin tradicional, ishte subjekt i kolonizimit të brendshëm për dekada me radhë, përmes:

  • okupimit më 1912,
  • shtypjes sistematike gjatë Jugosllavisë mbretërore dhe asaj socialiste,
  • dhe kulmimit të dhunës në formën e gjenocidit të viteve 1998-1999.

Në këtë kontekst, e drejta për vetëvendosje nuk është thjesht një e drejtë e rezervuar për territoret koloniale, por edhe për popujt që janë sistematikisht të përjashtuar nga përfaqësimi, nga sovraniteti dhe nga dinjiteti.

Vetëvendosja, në këtë rast, ishte përgjigje legjitime ndaj mohimit institucional të ekzistencës.

III.

E drejta ndërkombëtare nuk e njeh dhunën si instrument të sovranitetit

Në frymën e mendimit të dhënë, GjND shmang kategorikisht çdo legjitimitet për veprimet e Serbisë që nga vitet ’80 deri në ndërhyrjen ndërkombëtare të vitit 1999. Me gjithë vëmendjen ndaj parimit të integritetit territorial, kjo mbrojtje nuk i jepet një shteti që ushtron gjenocid ndaj qytetarëve të vet.

Këtu ndodh ajo që në filozofinë e së drejtës cilësohet si “zbërthim i së drejtës pozitive përballë realitetit të shkeljes themelore të së drejtës natyrore.” Me fjalë të tjera, nuk mund të ketë normë që e mbron shtypësin.

IV.

Konstitucionalizimi i faktit: kur realiteti bëhet normë

Në përfundim, mendimi i Gjykatës nuk e shpalli Kosovën shtet, sepse ai ishte shpallur më 17.02.2008, por e pranoi që ajo tashmë e kishte realizuar vetveten si shtet dhe nuk kishte asnjë pengesë juridike për ekzistencën e saj.

Ky akt përmban një karakter konstituiv në vetvete për të drejtën ndërkombëtare, sepse për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore:

  • një gjykatë ndërkombëtare e lartë legjitimoi pavarësinë e një shteti të ri të krijuar përmes një ndërhyrjeje humanitare dhe një procesi të vetëvendosjes,
  • dhe e futi këtë legjitimitet në vetë logjikën e së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, Mendimi Këshillëdhënës i 2010-së është precedent normativ për të gjitha rastet post-gjenocidale dhe post-koloniale, ku popujt përpiqen të ri gjejnë sovranitetin e mohuar.

V.

Kosova dhe triumfi moral i së drejtës ndërkombëtare

Mendimi Këshilldhënës i GJND-së për Kosovën është ndoshta një nga rastet e rralla ku e drejta ndërkombëtare kapërcen pasivitetin e saj tradicional dhe transformohet në një instrument të drejtësisë substanciale.

Në një epokë ku forca shpesh zë vendin e ligjit, kjo është një dëshmi se zëri i popujve të shtypur nuk është më vetëm një britmë në errësirë, por është një zë i kthyer në vlerë sublime të popujve të civilizuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas disa afrimeve mjaft të mira, Napoli po mendon për…