Kosova sonte synon fitore ndaj Zvicrës

18 nëntor 2023 | 08:00

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e motivuar pas fitores ndaj Izraelit sonte (e shtunë) do të kërkojë edhe një tjetër rezultat pozitiv ndaj Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

“Dardanët” shpresojnë në fitore në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “St Jakob-Park”, pasi me tri pikë i ruajnë shanset për kualifikim në “Euro 2024”. Lidhur me këtë ndeshje ka folur përzgjedhësi Primozh Gliha, i cili ka deklaruar se nëse Kosova dëshiron një rezultat pozitiv, atëherë futbollistët duhet të jenë shumë inteligjentë për faktin se përballë e kanë një kundërshtar të fortë.

 

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse në Prishtinë luajtëm baras, ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne e mposhtëm Izraelin, por izraelitët treguan se janë të fortë pasi barazuan me Zvicrën. Presioni do të jetë shumë i madh pasi do të kemi përkrahje të madhe të publikut. Nëse duam të arrijmë rezultat pozitiv, duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të dimë si të luajmë, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë. Tani jemi në një situatë ku kemi pak gjasa. Por, kjo nuk ndryshon asgjë pasi jam shumë i fokusuar te ndeshja me Zvicrën sikurse ndaj çdo kundërshtari tjetër”, ka thënë Gliha.

Krahas përzgjedhësit në konferencë për medie ishte edhe mbrojtësi Florent Hadërgjonaj. Ky i fundit ka deklaruar se presin paraqitje të mirë dhe shpresojnë në fitore për të gëzuar popullin e Kosovës.

“Për mua është ndeshje speciale, pasi kam lindur dhe jam rritur këtu. Nuk do ta harroj gjatë tërë jetës sime pasi do të kem shumë familjarë në tribuna. Nuk do të jetë një situatë e tillë vetëm për mua, por edhe për shumë bashkëlojtarë. Me padurim presim ndeshjen, pasi në stadium do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë do ta gëzojmë popullin kosovar dhe të gjithë ata në stadium me një fitore”, ka thënë Hadërgjonaj. Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 20:45. Zvicra është e para më 16 pikë, kurse Kosova e katërta më 10 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Astrit Gashi Adnan Dibrani ka arritur të nominohet me…