Kosova synon fitore Ishujve Faroe

08 maj 2025 | 11:25

Kosova është përgatitur maksimalisht dhe e gatshme që sonte (e enjte) të shënojë fitore ndaj Ishujve Faroe, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet në “Euro 2026”.

Kjo ndeshje zhvillohet sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nga ora 20:15. Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, e pranon se kundërshtari është mjaft i fortë, por beson se sulmi i “dardanëve” do të funksionojë si duhet dhe ta thyejë mbrojtjen e Ishujve Faroe.

“Atmosferën e kam gjetur të mirë në këtë grumbullim, sikurse që e kam lënë në grumbullimin e kaluar. Jemi përgatitur për përballjen me Ishujt Faroe. Kjo përballje është problematike për arsye se ata luajnë 60 minuta 7 me 6. Ne po punojmë që të gjejmë zgjedhjet sa më të mira për mbrojtjen e tyre dhe kemi fuqi në sulm dhe besoj se do t’ia dalim”, ka thënë Qerimi.

Në kualifikime janë tetë grupe me nga katër ekipe kombëtare. Në Grupin 6 në vendin e parë është Kombëtarja e Ishujve Faroe me 5 pikë. Nga katër pikë i kanë Ukraina dhe Holanda, ndërsa Kosova i ka tri pikë. Në asnjë grup tjetër Kombëtarja e vendit të parë nuk i ka vetëm pesë pikë pas katër xhirosh. Dhe në asnjë grup tjetër Kombëtarja e fundit nuk i ka plot tri pikë. Po ashtu, në asnjërin prej shtatë grupeve të tjera diferenca prej të parit deri tek i katërti është vetëm dy pikë. Kjo dëshmon që grupi është plotësisht i hapur dy xhiro para fundit të kualifikimeve dhe njëkohësisht që grupi është më i forti i këtyre kualifikimeve. Ndërsa hendbollisti Haris Berisha ka thënë se “dardanët” kanë treguar edhe në të kaluarën se mund të arrijë suksese ndaj kombëtareve të forta, prandaj presin edhe sonte ndaj Ishujve Faroe.

“Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojën kundër Ishujve Faroe dhe të fokusuar maksimalisht, pasi kjo lojë mund të na udhëheqë drejt kampionatit evropian. Nuk do të jetë aspak lehtë, por ne duhet ta japim maksimumin për ta arritur qëllimin. Edhe në të kaluarën ndaj kombëtareve të forta kemi treguar se mund të bëjmë lojë të mirë dhe të marrim rezultate pozitive. Njëjtë presim edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Berisha.

Kosovës i duhet fitorja ndaj Ishujve Faroe për të mbetur fuqishëm në garë për kualifikim.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në…