Kosova synon ta përsërisë paraqitjen madhështore ndaj Suedisë

13 tetor 2025 | 11:06

Kombëtarja e Kosovës e ka marrë rrugën drejt Suedisë me optimizëm para përballjes së sontme.

“Dardanët” kanë përfunduar dje në Goteborg ku do ta zhvillojnë ndeshjen e dytë me suedezët në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Vedat Muriqi me shokë e regjistruan një fitore të madhe dhe historike me suedezët në muajin e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Andaj, trupa e trajnerit Franco Foda synon që sonte ta përsërisë atë paraqitje madhështore për t’i marrë pikët që e lënë në garë për ta prekur “play-off”-it, në rrugëtimin drejt Kupës së Botës.

Kosova vjen nga barazimi pa gola me Slloveninë, të cilin e ka regjistruar të premten që shkoi.

“Verdhekaltrit” e shohin veten në vend të dytë dhe një fitore ose një barazim në Suedi, do t’i linte ata në të njëjtën pozitë para sfidave të fundit dhe vendimtare të nëntorit, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Në ditët e fundit, lojtarët e Kosovës ushtruan në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali ku përzgjedhësi Franco Foda punoi kryesisht në aspektin taktik, duke i provuar detajet e lojës me të cilën synon të paraqitet në këtë sfidë.

Stërvitjet ishin pa ngarkesa të mëdha fizike, ndërsa atmosfera brenda grupit mbetet mjaft pozitive dhe futbollistët janë maksimalisht të motivuar.

Nga grumbullimi është liruar Elvis Rexhbeçaj, i cili nuk arriti të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Sllovenisë.

Foda do të jetë i hendikepuar edhe me disa mungesa të tjera, por që do të mundohet ta kombinojë ekipin dhe t’i vendosë në fushën e blertë lojtarët që i ka në dispozicion.

Ndeshja mes Suedisë dhe Kosovës do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur mbi krijimin e…