
Kosova të mobilizohet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Një ndër komandantët e Betejës së Koshares, ish deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se i tërë mekanizimi shtetëror i Kosovës duhet të mobilizohet në realizimin e një mbrojtjeje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, që do të demantonte pretendimet e raportit të Dick Martit dhe të shërbimeve sekrete serbe e ruse.
Berisha tha në intervistë për Ekonomia Online se cilësimi i UÇK-së si ndërmarrje kriminale është një dëm i madh për kauzën e lirisë.
“I tërë mekanizimi shtetëror i Kosovës duhet të mobilizohet në realizimin e një mbrojtjeje, e cila do t’i demantojë të gjitha pretendimet e raportit të Dick Martit, që është miratuar dhe është raporti i Këshillit të Evropës. Duhet të demantojë të gjitha pretendimet e shërbimit sekret serb, prokurorive serbe dhe shërbimit rus dhe të gjithë argatëve të tyre që kanë pretenduar dhe tentuar që përmes deponimeve të ndryshme, dëshmive që kanë ofruar, ta cilësojnë Kosovën, lëvizjen kombëtare shqiptare dhe UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Mendoj se qytetarët e Kosovës më shumë se kurrë duhet ta ngrisin vetëdijen kombëtare, të luftojnë për identitet, të mos lejojnë që në institucionet tona të ketë personalitete të cilat në çfarëdo forme – dhe nuk ka arsyetim që i mbulon – kanë kontribuar në cilësimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për të pasur liri me epitetin ndërmarrje kriminale”, tha Berisha.
Ai kritikoi ashpër edhe kryetarin aktual të Kuvendit, Dimal Basha, i cili ishte bashkautor në një punim akademik ku përmendet se UÇK-ja është financuar edhe nga trafikantë droge.
Sipas tij, kjo i ka shkaktuar dëm të madh kauzës së UÇK-së dhe vetë dinjitetit të shtetit, duke shtuar se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë rrezik.
“Dua ta cilësoj me emër kryetarin aktual të Kuvendit ku duhet të ketë veprim të organizuar, meqenëse morali institucional politik nuk po jep efekt, atëherë duhet qytetarët. Nëse edhe kësaj radhe qytetarët nuk e vënë në veprim dinjitetin e tyre, atëherë një popull pa dinjitet është i rrezikuar brenda vetvetes. Tendencat për të mbuluar dhe arsyetuar nuk qëndrojnë, dëmi është bërë, punimi shkencor në të cilin kryetari i Kuvendit thotë se kam një pjesë autorësie dhe s’jam aty, nuk mbulojnë.
Unë kam bërë punime shkencore me bashkautorësi dhe nuk është e mundur, sepse e kam dërguar punimin, por e kam lexuar materialin. Arsyetimet që mund të shiten tërësisht kategorive që e përkrahin me arsyetime të stomakut e jo me arsyetime të kokës, por edhe qëndrimi i Gërvallës – ne kemi dy qëndrime kontradiktore – këta kanë bërë dëmin e madh, jo Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerët. Këta kanë bërë dëmin e madh kauzës, për të cilën i është bërë dëm UÇK-së, vetë lirisë dhe dinjitetit të shtetit. Imagjino nëse ata dënohen qoftë edhe me kusht, cila është pavarësia dhe liria jonë. Nuk janë të vetëdijshëm se çfarë dëmi të madh i kanë bërë vendit, prandaj qytetarët duhet të kthjellen. Sot po luftohen për ruajtjen e dinjitetit tonë shtetëror dhe popullor”, shtoi ai.
Berisha beson se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë drejtësi për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Unë kam shumë besim se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë drejtësisht, kur të fillojë sistemi i mbrojtjes të operojë do të shihet se do të jetë sistem i shërbimeve serbe dhe prokurorisë serbe”, tha për Ekonomia Online.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, deri tani janë pranuar dëshmitë e 264 dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 15 shtator 2025 pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes.