Kosova thekson rëndësinë e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka pritur në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Yousof Naser Abdulla Albuainain Almazrouei.
Gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me fokus të veçantë në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve strategjike, mbi potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorët prioritarë të ekonomisë dhe energjisë.
Zëvendësministri Mjeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke vlerësuar interesimin e këtij shteti për investime në Kosovë, si dhe përvojën e tij në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike.
Ai nënvizoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një klime të favorshme për investime, përmes reformave dhe politikave mbështetëse për investitorët e huaj.
Nga ana e tij, Almazrouei shprehu gatishmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të vazhduar dhe avancuar bashkëpunimin me Kosovën, duke theksuar interesin për eksplorimin e mundësive konkrete të investimeve, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe projekte me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.



