
Kosova U16 pëson humbje nga Sllovakia
Kombëtarja e Kosovës U16 për vajza ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë të turneut zhvillimor të UEFA-s, që po zhvillohet në Estoni. Vajzat dardane u mposhtën nga Sllovakia, me rezultat 2:0, në një përballje ku treguan angazhim dhe disiplinë, pavarësisht vështirësive.
Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësja Xhuli Berisha i rezistoi presionit të kundërshtarit gjatë pjesës së parë, por në minutat e fundit të saj Sllovakia arriti të kalojë në epërsi. Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, kundërshtaret shënuan edhe golin e dytë, që në fund rezultoi të ishte vendimtar.
Vlen të theksohet se në këtë ndeshje ndikoi mungesa e portieres kryesore, e cila u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë ndaj Estonisë.
Për shkak të rregullave specifike të këtij turneu zhvillimor, përzgjedhësja Berisha u detyrua që një periudhë të lojës portën ta mbrojë me njërën nga futbollistet e saj. Kosova U16 ndeshjen e fundit e zhvillon kundër Islandës, më 4 maj.