
Kosova U19 triumfon edhe ndaj Shqipërisë
Kosova U19 ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut ndërkombëtar në Tiranë, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Pas fitores ndaj Moldavisë, të përzgjedhurit e Albert Bunjakut shënuan fitore edhe ndaj Shqipërisë U19, me rezultat 1:0. Golin e fitores për “Dardanët| U19 e realizoi Medjen Llumnica, në minutën e 74-t.
Përzgjedhësi Bunjaku e filloi ndeshjen me këtë formacion: Lindsay Gutaj, Floni Selimi, Medjen Llumnica, Rinor Rexhepi, Engjell Krasniqi, Albert Rrahmani, Omer Bajraktari, Endrit Hasanmetaj, Valon Cena, Rin Ahmeti dhe Fatjon Haxhiu. Ndërkaq në lojë u inkuadruan edhe: Reis Paci, Diart Gashi, Leart Salihu, Leandro Maksutaj, Gentian Dushaj, Arlind Qela, Omer Shala, Erion Hoti, Melvin Hoxha, Anik Vitija.
Dy ndeshjet në kuadër të këtij turneu i shërbyen stafit të trajnerëve për ta parë gjendjen e futbollistëve dhe për ta përgatitur ekipin sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të muajit të ardhshëm.
“Jam i kënaqur me rezultatin, derisa me lojën me dhe pa top vetëm pjesërisht. Mendoj se kemi bërë një hap të mirë përpara. Nuk është ende gjithçka ashtu siç dua unë, por mendoj se jemi mirë të përgatitur për ndeshjet kualifikuese. Dua të falënderoj stafin tim dhe djemtë për angazhimin, kohën dhe energjinë e shfaqur në këto dy ndeshje”, deklaroi përzgjedhësi Albert Bunjaku.
“Dardanët” e rinj bëjnë pjesë në Grupin e 12-të në kualifikueset e Evropianit së bashku me Norvegjinë, Gjermaninë dhe Armeninë. Ndeshjet zhvillohen në Norvegji më datat 8, 11 e 14 tetor 2025.