Kosova U20, e gatshme për garat në Shkup

07 korrik 2021 | 11:21

Vashat e Kosovës U20 po vazhdojnë përgatitjet, ku garat po afrohen, derisa lojtaret po japin maksimumin në stërvitje. Përzgjedhësi i Kosovës U20, Furkan Saglik, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Kur kemi filluar përgatitjet nuk kemi qenë të kompletuar, sepse Astera Tuhina luan në Spanjë, kurse Enisa Kamerolli dhe Agnesa Rrahmani ishin të angazhuar me ekipin e Kosovës A. Por, jemi duke u munduar të krijojmë atmosferë të mirë dhe lojtaret të jenë sa më të afërta me njëra-tjetrën”, ka thënë Saglik për faqen zyrtare të FBK-së.

Te Kosova U20 angazhohen lojtare që luajnë jashtë Kosovës si Dea Pushkolli në ShBA, Astera Tuhina, në Spanjë dhe Tringa Ukaj, në Suedi. “Ato luajnë jashtë dhe mendja e tyre është e hapur. Kjo na ndihmon shumë, por ne jemi duke krijuar një ekip të veçantë, ku nuk ka dallim mes lojtareve vendore dhe atyre që luajnë jashtë Kosovës”, ka shtuar përzgjedhësi i Kosovës U20.

Kosova do të luajë në grup me Rumaninë, Sllovakinë, Luksemburgun dhe Maqedoninë e Veriut. “Ne do të luajmë me lojtare 17 dhe 18-vjeçare në një garë me U20. Do të jetë e vështirë. Do të mundohemi t’i ndihmojmë lojtaret tona që të rriten dhe të jenë të gatshme për Kombëtaren A. Ky është synimi primar për ne”, nënvizoi ish-trajneri i Bashkimit, duke shtuar: “Rumania dhe Sllovakia kanë ekipe të mira dhe programe për të ardhmen. Maqedonia e Veriut është e afërt me ne. Sigurisht se ne do ta japim maksimumin në çdo ndeshje, por synimi është të fitojmë ndaj Maqedonisë Veriore”, u shpreh Furkan Saglik.

Kosova U20 (F) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 Women’s European Challengers që do të organizohet në Shkup prej 13 deri më 18 korrik 2021.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë sezon Max Verstappen ka korrur pesë fitore në Formula…