
Kosova U21 shënon fitore bindëse ndaj San Marinos
Kombëtarja e Kosovës U21 ka realizuar fitore bindëse ndaj San Marinos, me rezultat 7:0, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027, në ndeshjen e zhvilluar të martën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo ishte fitorja e parë për Kosovën U21 në këtë cikël kualifikues, pas barazimit si mysafir në Rumani dhe humbjes ndaj Spanjës në shtëpi.
Djelmoshat e përzgjedhësit Afrim Tovërlani zhvilluan një lojë dominuese nga fillimi deri në fund, duke treguar cilësi, efikasitet dhe shpirt të lartë gare.
Kosova e nisi furishëm ndeshjen dhe që në minutën e 12-të kaloi në epërsi me golin e Eliot Bujupit. Vetëm katër minuta më vonë, Leon Frokaj shënoi për 2:0, ndërsa në minutën e 20-të Hekuran Berisha realizoi për 3:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Dardanët vazhduan me të njëjtin ritëm. Berisha në minutën e 59-të shënoi golin e tij të dytë personal dhe të katërt për Kosovën, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Lirim Jashari, i cili sapo hyri në lojë, e çoi rezultatin në 5:0. Julind Selmonaj në minutën e 75-të realizoi për 6:0, ndërsa rezultatin përfundimtar 7:0 e vulosi Frokaj në minutën e 83-të me golin e tij të dytë.
Pas kësaj fitoreje, Kosova U21 ka grumbulluar katër pikë dhe renditet në vendin e katërt të Grupit A.
Në muajin nëntor, Dardanët e rinj do të zhvillojnë edhe dy ndeshje të tjera kualifikuese, të dyja si mysafirë, ndaj Qipros dhe Finlandës.