Kosova vlerësohet me notë të ulët 2.35 në kujdesin ndaj fëmijëve

07 mars 2024 | 13:58

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka publikuar Raportit e parë të Monitorimit “Karta e Vlerësimit” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?

Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.

Qëllimi kryesor i KOMF-it përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi.

Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.

Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë.

Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF, të cilët kanë ofruar vlerësimin e fushave përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë.

Raporti me të gjetura dhe rekomandime u prezantua nga autorë të raportit, Gani Lluga, Besim Kodra, Remzije Krasniqi dhe Fatmire Haliti.

“Mirëqenia sociale 2.6; Mbrojtja e fëmijëve 2.5; Shëndeti i fëmijëve 2.25; Zhvillimi në fëmijërinë e hershme 2.25; Arsimi 2.5; dhe drejtësia për të mitur 2.0”, ka njoftuar KOMF-i.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me përfundimin e katër sfidave të kësaj jave, të UEFA…