Kosova voton për zgjedhjet e jashtëzakonshme

14 shkurt 2021 | 07:37

Me maska dhe distancë, qytetarët e Kosovës po votojnë të dielën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas më pak se një vit e gjysmë nga zgjedhjet e fundit.

Qendrat e votimit u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Për këto zgjedhje, KQZ-ja tashmë ka pranuar 43.477 pako me fletëvotime, të dërguara me postë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. Ky institucion, më herët ka njoftuar se 103,582 qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës u është mundësuar e drejta e votimit për këto zgjedhje.

Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po mbahen pasi më 21 dhjetor, 2021, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo pasi, më 3 qershor, 2020, për zgjedhjen e kësaj qeverie kishte votuar deputeti Etem Arifi, ndaj të cilit kishte një aktgjykim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Arifi, për këtë vepër penale ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese argumentoi se një person i dënuar për vepër penale me një vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Andaj, Kushtetuesja tha se Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të nevojshme të të gjithë deputetëve, gjatë votimit më 3 qershor.

Ky vendim i Kushtetueses, bëri që KQZ-ja të ftonte institucionet relevante që të ndihmonin në verifikonin e të gjithë kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit, për të parë nëse në listat e partive politike ka persona që kanë probleme me ligjin.

Pas verifikimeve, tre kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kreun e kësaj partie, Albin Kurti nuk u certifikuan për të garuar për deputetë. Kurti, së bashku me disa deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, në janar të vitit 2018, ishte dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në shtator të atij viti.

Po ashtu, tre kandidatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë certifikuar në këto zgjedhje, ndërkaq, nga Nisma Socialdemokrate nuk janë certifikuar 12 kandidatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas deklaratave të kryetarit…