Kosovarët po lënë paranë e gatshme, mbi 1.6 milion kartela aktive

07 tetor 2025 | 11:20

Përdorimi i kartelave bankare në Kosovë po rritet me ritme të shpejta, duke dëshmuar një transformim të dukshëm të mënyrës së pagesës së qytetarëve, nga paraja e gatshme drejt pagesave digjitale.

Një raport i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2024 tregon se Kosova po hyn në një fazë të re të modernizimit financiar, me rritje të dukshme të numrit të terminaleve bankare, kartelave të pagesave dhe transaksioneve elektronike.

Kosova me mbi 1.6 milion kartela aktive

Sipas raportit, në fund të vitit 2024, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 1 milion e 684 mijë e 34 kartela bankare, përfshirë kartelat e debitit, kreditit dhe ato me para elektronike. Kjo paraqet një rritje prej 4.49 për qind krahasuar me vitin 2023. Nga to, 1.4 milionë euro janë kartela debiti dhe rreth 195 mijë kartela krediti, ndërsa 75 mijë të tjera janë kartela të institucioneve financiare jobankare me funksion të parasë elektronike. Përbërja tregon dominimin e “Visa”-s dhe “Mastercard”-it, që përbëjnë afër 98 për qind të tregut, ndërsa kartelat lokale mbeten vetëm në rreth 2 për qind.

Pothuajse 77 për qind e kartelave janë contactless, që do të thotë se pagesat kryhen pa kontakt fizik me terminalin, vetëm duke e afruar kartelën — një teknologji që po bëhet standard në gjithë sektorin bankar kosovar.

Rrjeti i terminaleve bankare: 635 ATM dhe mbi 20 mijë POS

Në fund të vitit 2024, në vend janë regjistruar gjithsej 635 bankomate (ATM) dhe 20,913 terminale POS (Point of Sale). Numri i terminaleve për pagesa në pika tregtare është rritur me 21.7 për qind brenda vitit, duke arritur nivelin më të lartë historik. Krahasuar me dy vitet paraprake, rritja është e qëndrueshme: nga 14,769 POS në vitin 2022, në 20,913 në 2024. Për çdo 1 milion banorë, Kosova ka 13,236 terminale POS dhe 401.9 ATM, ndërsa për çdo 100 kilometra katrorë raportohen 192 terminale POS dhe 6 ATM.

Pjesa më e madhe e terminaleve është përqendruar në Prishtinë, për shkak të numrit më të madh të banorëve, filialeve bankare dhe bizneseve që operojnë në kryeqytet. Në qytetet tjera, si Prizren, Ferizaj, Gjilan, Pejë e Gjakovë, rrjeti është më i kufizuar, por në rritje të vazhdueshme.

Pagesat digjitale, zakoni i gjeneratës së re

Të dhënat e BQK-së tregojnë se meshkujt dominojnë në posedimin e kartelave, por hendeku gjinor po zvogëlohet, sidomos te grupmoshat e reja. Grupi më aktiv financiarisht mbetet ai 26–35 vjeç, që përfaqëson pjesën më të madhe të transaksioneve me debit dhe kredit kartela, si edhe të blerjeve online. Kjo moshë përfshin qytetarët që kanë të ardhura të rregullta dhe janë më të prirë për përdorim të teknologjisë bankare.

Rritje e fortë e pagesave me kartela

Gjatë vitit 2024, janë regjistruar 39.4 milionë transaksione me debit kartela, me një rritje prej 6.5 për qind krahasuar me vitin 2023.

Edhe pagesat me kredit kartela janë shtuar, duke arritur 1.37 milion transaksione, ndërsa vlera e këtyre pagesave vazhdon të jetë dukshëm më e lartë për meshkujt (74 për qind) sesa për femrat (26 për qind). Në aspektin e pagesave online, qytetarët e Kosovës kanë realizuar 5.8 milionë blerje përmes internetit, me vlerë totale prej 296 milionë eurosh, pothuajse dyfishi i vitit paraprak.

Shmangia e parasë së gatshme

Sipas BQK-së, zgjerimi i rrjetit të POS terminaleve, përdorimi i kartelave contactless dhe përhapja e pagesave online po ndikojnë në reduktimin gradual të përdorimit të parasë fizike në qarkullim. Bankat kanë rritur edhe limitin e pagesave pa kontakt deri në 50 euro, duke lehtësuar blerjet e shpejta dhe duke rritur sigurinë për klientët. Edhe pse numri i terminaleve dhe kartelave për banor mbetet më i ulët se në vendet e BE-së, ritmet e rritjes tregojnë për një transformim të qëndrueshëm dhe kulturë të re të konsumit financiar. /Demokracia

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona janë arrestuar të martën mbrëma në Prishtinë, nën…