
Kosovari në Shkupin Dardan është në shtëpinë e vet
Shkruan: Astrit Gashi
Shkupi nuk është një qytet i zakonshëm në historinë shqiptare. Ai ka qenë zemra e Dardanisë, kryeqyteti i mbretit Bardhyl dhe i Lekës së Madh, prej nga hapeshin rrugët e fitores drejt lindjes dhe perëndimit. Ky qytet i lashtë, i lindur në gjirin e Kosovës së dikurshme, është edhe vendlindja e shenjtores universale, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza. Kështu, Shkupi është bashkëkohës i dy ekstremeve të lavdisë së Lekës së Madh, që pushtoi botën me shpatë, dhe i Nënës Terezë, që e shëroi atë me dashuri. Këtu kryqëzohen dy filozofi të ekzistencës, pushtetit dhe sakrificës, lavdia e mbretërve dhe përulësia e shenjtorëve.
Në këtë qytet, që mban në kujtesë Dardaninë dhe Kosovën, më ra si rrufe një pyetje e thjeshtë: “Kosovar je?” Në dukje, një kuriozitet i zakonshëm. Por në thelb, një pasqyrë e dhimbshme e realitetit tonë në Shkup, shpesh disa janë më afër maqedonasve sesa kosovarëve. Dhe kjo nuk është thjesht çështje marrëdhëniesh të përditshme është dramë identitare, një tregim i mungesës së dinjitetit për të mbrojtur vetveten.
Ai që e sheh kosovarin si “të huaj” në Shkup, nuk sheh më larg se hunda. Sepse kosovari nuk është mysafir ai është vetë rrënja, kujtesa e gjallë e Dardanisë. Dhe kjo dikujt i dhemb. Paradoksi qëndron pikërisht këtu së Shkupi, që ishte zemra e Kosovës së lashtë, sot nuk guxon të përfytyrojë kosovarin si të tepërt apo të panevojshëm. Sepse prania e tij është kujtesë që ua zbulon disa të vërteta të hidhura të atyre që, në momentet vendimtare, nuk guxuan të jenë vetvetja. Sidomos ata që e mbeshtetën Shkupin 2014.
Pyetja “Kosovar je?” nuk është gjeografike. Ajo nuk buron nga ata që ndihen pasardhës të Lekës së Madh dhe të Nënës Terezë, por nga ata që e kanë frikë unifikimin e shqiptarëve, sepse u mungon dinjiteti. Kosovari në Shkup nuk është i huaj por ai është rikthimi i një të vërtete të madhe se Shkupi është kryeqyteti i Dardanisë, pjesë e pandarë e Kosovës së lashtë, dhe se dinjiteti është flamuri që nuk duhet ulur kurrë.
Prania e tij nuk është kërcënim. Është kujtesë e pavdekshme. Kosovaret nuk morëm asgjë, vetëm ua kujtuam se kush jemi. Dhe kjo, për disa, është dhimbja më e madhe. Sepse Shkupi nuk është thjesht një hapësirë gjeografike është shtëpia e shqiptarëve, jo vetëm si themelues të Republikës së Krushevës, por edhe si bashkëthemelues të vetë Maqedonisë së sotme.
Prandaj, kur unë ec nëpër Shkup, nuk ndjehem mysafir. Ndjehem në shtëpinë time.