Kosovë – Izrael, nënshkruhet memorandumi për edukimin mbi ndryshimet klimatike

10 shtator 2025 | 11:55

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ilir Muçaj, priti në takim drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë për Bashkëpunim Rajonal të Izraelit, Gilad Shadmon, i shoqëruar nga ambasadorja jo-rezidente e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, të cilat karakterizohen nga partneritet i qëndrueshëm dhe bashkëpunim i frytshëm në fusha të shumta.

Palët diskutuan për mundësitë e reja të thellimit të këtij bashkëpunimi, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, sigurisë kibernetike dhe menaxhimit të burimeve ujore si fusha strategjike për zhvillimin e përbashkët.

Sekretari Muçaj vlerësoi lart iniciativat e Izraelit që tashmë kanë dhënë rezultate konkrete, si programet e bursave, seminarët e specializuara, projektet për ndërtimin e kapaciteteve, si dhe përpjekjet për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve të dy vendeve.

Ai theksoi se këto iniciativa jo vetëm që afrojnë Kosovën dhe Izraelin, por gjithashtu kontribuojnë në rritjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve.

Në kuadër të vizitës u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për edukimin mbi ndryshimet klimatike, mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Izraelit.

Ky memorandum synon ndërgjegjësimin e gjeneratave të reja dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale në këtë fushë.

Po ashtu, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të zgjeruar partneritetin përtej klimës dhe edukimit, duke eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi në: Tregti dhe Investime, me theks të veçantë në teknologji, inovacion dhe ekosistemet e start-up-ve, ku Kosova dhe Izraeli kanë potencial të madh zhvillimi, në Siguri Kibernetike, si dhe në Bujqësi dhe Menaxhim të Ujit, duke u mbështetur në përvojën botërore të Izraelit dhe në nevojat zhvillimore të Kosovës.

Ky takim shënon një hap tjetër të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale, duke vendosur bazat për projekte konkrete që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin e dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Krushë e Madhe, dje u mirëpritën dy të…