Kosovës i mohohen simbolet shtetërore në Evropianin e Golfit në Qipro, FGK-ja refuzon pjesëmarrjen
Federata e Golfit e Kosovës (FGK) nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili fillon sot në Paphos të Qipros.
Kjo për shkak të një vendimi të autoriteteve shtetërore të Qipros, të mbështetur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së këtij vendi, i cili thotë se Kosova nuk mund të paraqitet me simbolet shtetërore.
FGK-ja ka shprehur keqardhjen e thellë për këtë vendim, dhe ka njoftuar se me këto kushte nuk do të marrin fare pjesë në kampionat.
“Më 27 maj 2026, vetëm pak ditë para kampionatit, u informuam se për shkak të një vendimi të autoriteteve shtetërore të Qipros, të mbështetur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Qipros, nuk do të lejohej paraqitja e Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse. Konkretisht, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në vendin e garës në të njëjtën mënyrë si flamujt e 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse”, ka njoftuar FGK-ja.
Federata e Golfit e Kosovës (FGK) ka theksuar se bazuar në këtë vendim, ekipi i Kosovës nuk pranon të marrë pjesë në gara ndërkombëtare “në kushte të pabarabarta dhe pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare”.



