Kosovës i shtohet edhe një federatë sportive

28 nëntor 2019 | 17:29

Me nismën e Komitetit Olimpik të Kosovës është themeluar Federata e Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës (FLSTK).

Në Kuvendin Themelues dhe Zgjedhor të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë, u zgjodhën organet drejtuese të kësaj federate, ndërsa rrjedhën e Kuvendit e ndihmuan edhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj.

Presidenti Hasani ka përgëzuar shoqatat dhe klubet që iu përgjigjën ftesës për të themeluar FLSTK-në, kurse ka bërë me dije se KOK-u është vetëm nismëtar i themelimit të kësaj federate deri në zgjedhjen e organeve drejtuese. KOK-u kishin iniciuar dhe ndihmuar edhe themelimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK). 13 delegatët e pranishëm që vinin nga 10 shoqata dhe klube të Rajoneve të ndryshme të Kosovës unanimisht zgjodhën për kryetar profesorin Fadil Hysaj që përfaqësonte Etno Fest “Syri”.

Në fjalën e tij, kryetari Hysaj falënderoi të pranishmit për besimin, duke thënë se do të jap maksimumin që bashkërisht me Bordin Ekzekutiv ta bëjnë federatën sa më funksionale.

Bordi Ekzekutiv do të përbëhet nga Fejsal Shaqiri, Drilon Beqiri, Nezir Shehu, Kaltrina Hasani, Sadik Krasniqi dhe Masar Kabashi. Anëtarët e Bordit unanimisht vendosën që pozitën e sekretarit të përgjithshëm t’ia besojnë Nazmi Ibërdemajt nga Shoqata “Rugova” në Pejë. Pas themelimit të federatës, FLSTK pritet të aplikojë për anëtarësim në Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe në Asociacionin Ndërkombëtar “Sporti për të Gjithë” (TAFISA).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh), përmes një deklarate ka thënë…