Kosovës i vjen edhe një talent? Po flitet se sulmuesi i Leipzigut ka refuzuar ShBA-në e Kroacinë

14 tetor 2025 | 22:43

Edhe pse në kategoritë e të rinjve ka veshur fanellën e Kroacisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ku ka lindur, sulmuesi i RB Leipzigut, Dino Klapija, në të ardhmen pritet të luajë për kombëtaren e Kosovës.

Kjo ende nuk është zyrtarizuar, por sipas raportimeve, Federata e Futbollit të Kosovës është pranë përfundimit të marrëveshjes me Klapijën.

“Talenti 18-vjeçar i RB Leipzigut, Dino Klapija, i cili aktualisht luan për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund t’i bashkohet së shpejti Kosovës”, thuhet në raportim, siç shkruan portali boshnjak, “sportsport”.

Ky sulmues ka një gamë të gjerë zgjedhjesh sa i përket ekipit kombëtar. Deri më tani ka luajtur për ShBA-në, si dhe për Kroacinë, për të cilën fitoi shtetësinë në vitin 2023 falë origjinës së gjyshes nga Zadra.

Prindërit e Dinos janë me origjinë nga Bosnja e Hercegovina. Ai është lidhur për një kohë me mundësinë e paraqitjes për këtë përfaqësuese, por duket se Federata e Futbollit të Bosnjës aktualisht nuk ka treguar interes të madh për të.

Sipas këtij portali boshnjak, sipas origjinës, Klapija ka të drejtë të luajë edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, por nga Kosova vjen informacioni se ai është përcaktuar për këtë përfaqësuese.

Në Kosovë, thotë portali boshnjak, janë entuziazmuar sidomos pasi Klapija ka ndarë në profilin e tij në Instagram rezultatin e ndeshjes në Suedi, ku Kosova arriti një fitore të madhe (0:1), ndërsa sot është raportuar se ai mund të luajë për këtë vend.

Aktualisht, Dino Klapija është pjesë e RB Leipzigut. Klubi gjerman ka paguar 5.2 milionë euro për transferimin e tij nga Kustoshija e Kroacisë.

Fillimisht, Klapija pritej të kalonte te Dinamo Zagrebi, por ai dhe menaxheri i tij, Andy Bara, vendosën se do të ishte më mirë të kërkonte afirmimin përmes Kustoshijas – dhe ky plan rezultoi i suksesshëm.

Për të parashikohet një karrierë e ndritur futbollistike, dhe mbetet të shihet nëse do ta ndërtojë atë përmes përfaqësueses së Kosovës apo nëse kjo ishte vetëm një “bombë” mediatike.

Kosova tashmë ka formuar një përfaqësuese vërtet mbresëlënëse dhe është pranë kualifikimit në “play-off”-in për Kupën e Botës 2026, ku çdo gjë është e mundur.

“Këtij ekipi po i bashkohen talente nga e gjithë bota. Federata e Futbollit të Kosovës po bën një punë të shkëlqyer për të sjellë në përfaqësuese të gjithë ata që kanë origjinë nga Kosova – dhe deri tani, kjo strategji po funksionon mjaft mirë”, shkruan “sportsport”.

Klapija duket të jetë objektivi më i ri. Mbetet për t’u parë nëse ka vendosur përfundimisht të luajë për Kosovën dhe të forcojë repartin e saj të sulmit. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Ilir Mirena, ka thënë në “Pressing”të T7, se votuesi i…