‘Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Japoninë’
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Glauk Konjufca, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës, z. Hiroyasu Tanigaki.
Në takim, Tanigaki e ka përgëzuar Konjufcën për mandatin e ri, ndërsa është diskutuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Edhe pse dy vendet janë gjeografikisht të largëta, ato ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta që e forcojnë lidhjen ndërmjet tyre.
Gjatë bisedës është trajtuar pjesëmarrja e Kosovës në EXPO në Japoni, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
“U përmend gjithashtu se Universiteti i Prishtinës tashmë ofron kurse të gjuhës japoneze, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Në takim u theksua edhe përputhja e qëndrimeve gjeopolitike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe përkushtimi i përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri Konjufca gjithashtu i përcolli urimet e tij Japonisë për formimin e qeverisë së re dhe për emërimin e kryeministres së re. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Japoninë”, ka njoftuar MPJD-ja.



