
Kostot tepër të larta, Malajzia tërhiqet nga mundësia e organizimit të një gare të Formula 1
Malajzia ka përjashtuar mundësinë e organizimit të një garë të Çmimit të Madh të Formula 1 në të ardhmen e afërt, duke përmendur kostot dhe një kalendar garash tashmë të ngjeshur.
Për të siguruar një garë, Malajzia do të duhet të nënshkruajë një kontratë tre deri në pesëvjeçare me Liberty Media.
“Kjo përfaqëson një angazhim prej afërsisht 304 milionë eurosh gjatë kësaj periudhe”, tha Ministrja e Sportit, Hannah Yeoh para parlamentit.
Përveç këtyre të drejtave, nevojiten afërsisht 2 milionë euro në vit vetëm për ta mirëmbajtur pistën sipas standardeve ndërkombëtare.
Malajzia priti garën e parë të F1 në vitin 1999, në pistën e Sepangut.
I fundit u zhvillua në vitin 2017, po në të njëjtën pistë. Kostot e larta organizative të garës më pas çuan në heqjen e Çmimit të Madh të Malajzisë nga kalendari duke filluar nga viti 2018. Sepangu, megjithatë, vazhdon të presë një raund të kampionatit botëror të MotoGP.
Në rajon, Singapori organizon një garë të Formula 1 natën dhe Tajlanda shpreson të bëhet pritësja e radhës.
Në qershor, qeveria tajlandeze paraqiti një ofertë prej 1.2 miliardë dollarësh për të organizuar një garë të F1 në rrugët e Bangkokut duke filluar nga viti 2028.
Megjithatë, Malajzia nuk po e mbyll plotësisht derën për idenë e organizimit të garave të F1 përsëri, me kusht që kompanitë private të jenë të gatshme të mbulojnë kostot.