Kounde konfirmon se do të rinovojë kontratën me Barcelonën

31 korrik 2025 | 15:55

Tashmë nuk ka më asnjë dilemë për të ardhmen e Jules Kounde. Mbrojtësi francez do të vijojë të jetë pjesë e Barcelonës edhe për disa vite të tjera. Futbollisti ka konfirmuar vetë se gjithçka është gati për rinovimin e kontratës së tij me klubin katalanas dhe se shumë shpejt marrëveshja do të zyrtarizohet.

Kounde, i cili ka qenë një nga shtyllat e prapavijës së Barcelonës gjatë tre sezoneve të fundit, do të firmosë një kontratë të re që do ta mbajë të lidhur me këtë klub deri në vitin 2030. Ai shprehet se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe se vetëm firma mungon për ta bërë marrëveshjen zyrtare.

“Gjithçka është gati që unë të rinovoj kontratën me Barcelonën deri në vitin 2030. Firma do të vijë kur të rikthehemi në Barcelonë. Ndodhi shpejt”, u shpreh Kounde.

Ky lajm është një tjetër sinjal pozitiv për klubin katalanas, i cili duket se po bën përpjekje për të ruajtur bërthamën e skuadrës dhe për të ndërtuar një projekt afatgjatë me lojtarët kryesorë. Rinovimi i Kounde pritet të zyrtarizohet sapo skuadra të rikthehet nga turneu përgatitor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka komentuar gjendjen e Jamal…