
Kounde pranon fuqinë e PSG-së: Na dominuan fizikisht, ishin më të mirë se ne
Mbrojtësi i Barcelonës, Jules Kounde, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes 2-1 ndaj Paris Saint-Germain në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Ai ka pranuar se skuadra franceze ishte superiore fizikisht, më e organizuar dhe më e përgatitur për ndeshjen. Kounde ka vlerësuar cilësinë dhe vetëbesimin e PSG-së, duke theksuar se ekipi i Luis Enriques ishte më i mirë në çdo aspekt.
“PSG ishin më të fortë fizikisht. Nuk arritëm të ushtronim presionin që dëshironim, kjo është ajo që na mungoi më së shumti. Duhet të pranojmë se ata zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Jemi të zhgënjyer, por jo të surprizuar”.
“E njihnim nivelin e tyre. Janë një skuadër me vetëbesim dhe me lojtarë të një cilësie shumë të lartë. Dëshmuan se janë fitues të Ligës së Kampionëve. Ishte një ndeshje e vështirë, por PSG ishte më e mirë”, ka thënë Kounde.
Tani, Barcelona duhet të reagojë shpejt në ndeshjet e mbetura, nëse dëshiron të sigurojë një vend në fazën tjetër të garës.