
KPK organizon testin me shkrim për kandidatët për prokurorë të rinj të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar sot mbajtjen e Testit me Shkrim për kandidatët për prokurorë të shtetit, i cili është duke vazhduar si fazë e përcaktuar në kuadër të procedurave të rekrutimit dhe emërimit të njëzetenjë (21) prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.
Testi po mbahet në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
Në respektim të parimit të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë në qasje, Testi me Shkrim është hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit të rekrutimit.
Në këtë Testin me Shkrim po marrin pjesë gjithsej njëqindepesëdhjetetre (153) kandidatë, prej tyre shtatëdhjetenjë (71) kandidatë të gjinisë femërore dhe tetëdhjetedy (82) të gjinisë mashkullore.
Mbajtja dhe administrimi i Testit me Shkrim është duke u mbikëqyrur nga z. Ardian Hajdaraj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.
Procesi është duke u vëzhguar dhe monitoruar nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
KPK do të vazhdojë të informojë publikun me kohë lidhur me fazën e ardhshme të procesit të rekrutimit – intervistimin me gojë, deri në përmbylljen e tij me emërimin e kandidatëve të suksesshëm në pozitën e Prokurorit të Shtetit.
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves #KeshilliProkurorial #KPK #SKPK#