KPK shkarkon Besim Kelmendin por vendimi vlerësohet si i jashtëligjshëm

20 nëntor 2025 | 18:12

Këshilli Prokurorial i Kosovës me vetëm 5 anëtarë shkarkoi Besim Kelmendin nga detyra e ushtruesit të Kryeprokurorit të Shtetit. E krejt kjo erdhi me kërkesë zëvendëskryesueses së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantollit që të futet në rend të ditës shkarkimi i Kelmendit, duke marr parasysh edhe intervistimin e këtij të fundit si dëshmitar në masakrën e Reçakut.

“Duke pas parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili është pozicionuar tani së fundmi dhe nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial dhe propozimet që KPK të shkarkoj Besim Kelmendin, kjo pikë të futet sot në takimin si pikë e rendit të ditës me propozimin për shkarkimin e tij”, tha Grantolli në këtë takim.

E me këtë nuk pajtuan pesë anëtarët e këtij këshilli të cilët bojkotuan mbledhjen. Mbledhja u ndërpre, por që vazhdoi më e pas me pesë anëtarët e KPK-së që mbetën nga 10 sa janë, e të cilët votuan për shkarkimin e Kelmendit dhe zëvendësimin e tij me Agron Çalaj.

Megjithatë, këtë vendim e kanë vlerësuar të jashtëligjshëm Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë të këshillit, të cilët thonë se nuk janë njoftuar se do të mbahet mbledhje tjetër gjatë së enjtes. Në konferencën për media, pesëshja kërkuan hetime nga AKI-ja dhe policia për këtë çështje.

“Unë ende nuk kam marrë vendim për këtë çështje, në momentin që ta marrë vendimin, jap të drejtat e mia ligjore për t’u drejtuar tek organet kompetente dhe gjyqësore dhe ato kanë të drejtën e vetë që këtë vendim ta pezullojnë ose ta shqyrtojnë dhe varësisht prej vendimeve të gjykatës do të veproj edhe unë”, tha Besim Kelmendi, ud.Kryeprokuror i Shtetit.

“Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi vazhdon detyrën. Përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm, U.D. Kryeprokurori i Shtetit vazhdon mandatin në përputhje me ligjin në fuqi sepse vendimi i sotëm është pa efekt juridik”, tha Visar Krasniqi, anëtar (00:07:38 – 00:07:56)

Të njëjtat qëndrime kishin edhe anëtarët tjerë Arian Gashi, Veton Shabani dhe Dardan Vuniqi.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu e ka quajtur shkelje flagrante të ligjit nga ata të cilët duhet të jenë zbatuesit më të përpiktë të tij. Ai ka ftuar zyrën e BE-së, Ambasadën Amerikane dhe partnerët tjerë ndërkombëtar të reagojnë lidhur me veprimet e kundërligjshme brenda KPK-së.

Edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë vlerësuar se ky është vendim i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv i një pjese të anëtarëve të Këshillit, andaj, sipas IKD-së, kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike thanë se përtej aspektit juridik, ky rast nxjerr në pah edhe njëherë gjendjen e brishtë të qeverisjes së brendshme të KPK-së, si dhe nevojën urgjente për reforma thelbësore në funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inxhinieri Ermal Sadiku pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.…