KPM-ja i jep ‘Klan Kosovës’ 30 ditë afat për plotësimin e të dhënave të biznesit

16 qershor 2023 | 14:54

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) i ka dhënë afat “Klan Kosovës” që brenda afatit prej 30 ditësh t’i plotësojë të dhënat si biznes.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka bërë me dije se zyra ligjore e këtij komisioni ka dhënë dy rekomandime për sa i përket vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit të “Klan Kosovës”.

Mehmeti ka thënë se dispozita e parë është “Klan Kosova”, në afat prej 30 ditësh obligohet ta plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës.

“Duke marrë parasysh faktin se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova, vë në dilemë ligjshmërinë e regjistrimit të këtij biznesi, nga zyra ligjore e KPM-së kemi një rekomandim i cili ka dy dispozita”.

“E para, obligohet ofruesi i shërbimit medial, ‘Klan Kosova’, që në afat prej 30 ditësh nga pranimi i këtij vendimi ta plotësoj dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale të KPM-së të vitit 2021”.

“Dy, dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren për ofruesit e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese të përcaktuara me nenin 30 të ligjit të KPM-së”, ka thënë Mehmeti.

Pas diskutimeve, rekomandimet e zyrës ligjore të KPM-së janë votuar unanimisht.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës U19 në Futboll e ka mbyllur në…