
KPMSHCK e anulon konkursin për drejtorin ekzekutiv të AKPPM-së për shkak të shkeljeve të rënda ligjore dhe procedurale
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), në mbledhjen e saj të mbajtur më 20.06.2025, ka marrë vendim për anulimin e konkursit për pozitën “Drejtor Ekzekutiv” në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), me numër reference RN00016306.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankesave të paraqitura dhe konstatimit të shkeljeve të rënda të ligjit dhe procedurave të rekrutimit, përfshirë:
Paraqitjen e dokumentacionit të pavërtetuar dhe të pakonfirmuar nga kandidatja S.H., përfshirë dëshmi mbi përvojën menaxheriale dhe kontrata të dyshimta nga institucione farmaceutike private që nuk janë mbështetur me prova bindëse ose dokumente autentike;
Mospërputhjen e përmbushjes së kritereve të konkursit, ku kandidatja S.H nuk ka plotësuar kushtin për përvojë menaxheriale të lartë në sektorin publik apo institucione relevante, siç kërkohet me kriteret e konkursit;
Poashtu nuk ishte përfshirë ne liste te ngushte kandidati K.D i cili kishte plotësuar kriteret e konkursit.
Shkelje të dispozitave ligjore dhe procedurave të rekrutimit, përfshirë nenin 6 paragrafi 1 dhe nenin 18 paragrafi 1.1 të Ligjit Nr.06/L-048 për KPMSHCK, si dhe nenin 132 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurat e Përgjithshme Administrative.
KPMSHCK konstaton se konkursi është zhvilluar në mënyrë të kundërligjshme, dhe si i tillë duhet të anulohet me qëllim të kthimit në ligjshmëri dhe respektimit të integritetit të sistemit të shërbimit civil në Republikën e Kosovës. Ky është anulimi i shtatë me radhë i këtij konkursi që nga viti 2022, për shkak të ndërhyrjeve politike, diskriminimeve, dokumenteve me përmbajtje të rreme dhe shkeljeve të njëpasnjëshme procedurale.
Lidhur me këto zhvillime, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për të shqyrtuar elementet e veprave penale që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim dokumentesh dhe ndërhyrje në proceset e rekrutimit në institucione publike.
Me këtë vendim, i është kërkuar U.D. Drejtorit Ekzekutiv të AKPPM-së që të ndërmarrë të gjitha veprimet për anulimin e konkursit dhe të sigurojë respektimin e ligjit dhe transparencës në çdo hap të mëtutjeshëm.