KQZ i dha tender me negocim kompanisë sllovene CETIS që vet e kishte përjashtuar

11 nëntor 2025 | 16:01

Një kompani sllovene që më parë ishte shpallur e papërgjegjshme për shkak të çmimit të lart që ofertoi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është shpërblyer përsëri me kontratë për shtypjen e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale 2025, përmes një procedure të negociimit pa publikim të njoftimit për kontratë, në kundërshtim të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik.

Gjatë procesit të numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut, për balotazhin e zgjedhjeve lokale, komisionerët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë ngritur ankesa për manipulime të mundshme në fletëvotime. Sipas tyre, disa fletëvotime kanë pasur parregullsi që nxisin dyshime për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Kompania sllovene CETIS d.d, që kishte përgatitur fletëvotimet, është arsyetuar se “gabimi është teknik” dhe se “përgjegjësia është e jona”.

KQZ: Kompania CETIS pranon përgjegjësinë për gabim në disa fletëvotime

Detajet tregojnë se kompania që pranoi gabimin teknik, kishte fituar tenderin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Në dhjetor të vitit 2024, KQZ kishte shpallur tenderin për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale 2025, me një vlerë të parashikuar prej 551 mijë euro.

Grupi i operatorëve “CETIS d.d dhe CETKOS L.L.C” kishte dorëzuar një ofertë prej 776 mijë eurosh, që tejkalonte vlerën e lejuar dhe për këtë arsye ishte shpallur i papërgjegjshëm.

“OE Grup i Operatorëve Ekonomik Cetis d.d., CETKOS L.L.C., ka ofruar çmimin total prej 776,232,32 EUR. OE është i  papërgjegjshëm ka ofertuar me çmimin më të lartë se sa vlera e parashikuar. Nuk i keni përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit; Nuk i keni plotësuar dhe nënshkruar si duhet { Formularin e paraqitjes së tenderit} {Formularin e paraqitjes së aplikacionit}; Nuk i keni përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit; Nuk e keni paraqitur numrin e mjaftueshëm të kopjeve të kërkuar;Nuk e keni paraqitur deklaratën e cila identifikon nënkontraktuesit e zgjedhur për aktivitetin relevant të prokurimit;Gabimi (et) aritmetikor i evidentuar (a) është më shumë se dy përqind (2%) i vlerës totale të ofertës; Oferta e juaj, në përputhje me nenin 61.4 është konsideruar si ofertë abnormalisht e ulët; Nëse është e zbatueshme, kërkesa tjera formale/ administrative”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Njoftimin për kontratën e plotë e gjeni KËTU

Njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues të plotë e gjeni KËTU: Vendimi i AK-se.pdf

Në vend që të rihapte tenderin me kushte të barabarta për të gjithë operatorët, KQZ e anuloi procedurën e hapur dhe e shpërbleu të njëjtën kompani përmes negociatave të mbyllura, pa konkurrencë dhe pa publikim të ofertës.

Në dokumentin zyrtar të titulluar “Njoftim për nënshkrimin e kontratës”, thuhet qartë se procedura është zhvilluar “e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”, me arsyetim për ndjeshmërinë e procesit të shtypjes së fletëvotimeve.

“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, propozojmë që të zhvillohet procedura e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, me qëllim që të sigurohet shtypja e fletëvotimeve në kohë dhe në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhej në arsyetimin e KQZ-së.

Kjo “ndjeshmëri” u përdor si arsyetim për shmangie të konkurrencës dhe favorizim të kompanisë që më herët ishte shpallur e papërgjegjshme.

Në fillim, kompania CETIS kishte ofertuar 776 mijë euro, shumë mbi kufirin e lejuar. Por pas anulimit të tenderit dhe nënshkrimit të kontratës me negociata, e njëjta kompani u shpërblye me 489 mijë euro, afër 300 mijë euro më lirë se oferta e parë, duke ngritur dyshime për mungesë transaprence.

Sipas këtij dokumenti, nga dy tendera të pranuara, vetëm një është konsideruar “i përgjegjshëm”, dhe pikërisht ai i CETIS. Kjo tregon se KQZ ka eliminuar konkurrencën e lirë dhe ka përsëritur të njëjtin subjekt që më herët ishte refuzuar për çmim të lartë.

Procedura e ndjekur nga KQZ bie ndesh me nenin 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, që lejon negocimin pa publikim vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara qartë. Në këtë rast, mungon emergjenca reale, pasi zgjedhjet janë planifikuar shumë më herët, duke i dhënë kohë të mjaftueshme KQZ-së./Periskopi/

 

 

Për çudi: Kjo është lidhja e Martin Berishajt me kompaninë ‘Cetis’ që shtypi fletëvotimet në Mitrovicë (DOKUMENT)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I pyetur nëse e dinte që Hashim Thaçi kishte mbajtur…