
KQZ-ja decertifikon nëntë kandidatë për asamble për zgjedhjet e 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e së mërkurës, ka decertifikuar nëntë kandidatë për asamble në zgjedhjet komunale të parapara të mbahen më 12 tetor.
Agim Millaku, Shaban Mehani, Tefik Beqiri, Vlora Gashi, Bajram Pireva, Afrim Koshi, Drita Qela, Gunej Birqi dhe Arjeta Birqi janë kandidatët që janë decertifikuar nga gara.
Emrat e tyre u hoqën me kërkesë të vetë kandidatëve për t’u tërhequr nga procesi zgjedhor.
Ndërkohë, e premtja është afati i fundit që KQZ-ja të certifikojë listën e votuesve.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale do të nisë më 13 shtator, ndonëse tashmë një numër i kandidatëve për kryetarë të komunave e kanë filluar atë, duke prezantuar zgjidhjet përmes së cilave synojnë të adresojnë problemet kryesore të komunave.
KQZ-ja në muajin korrik kishte marrë vendim për miratimin e kërkesës për ridestinimit të buxhetit për zgjedhjet lokale.
Kjo kërkesë është bërë pasi që KQZ-ja kishte kërkuar nga Qeveria në detyrë ndarjen e 6.5 milionë eurove të tjera, vendim për të cilin ende nuk është dhënë miratimi. Ndërkohë, partitë politike veçse kanë finalizuar listën e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kanë nisur fushatën zgjedhore, raporton AlbaninPost.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, për herë të fundit ishin mbajtur në vitin 2021. Procesi zgjedhor atëherë u zhvillua në të gjitha 38 komunat e vendit, në dy raunde: raundi i parë më 17 tetor dhe raundi i dytë më 14 nëntor 2021.