
KQZ-ja: Do të shtypen mbi 3.6 milionë fletëvotime për zgjedhjet e 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 56-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja ka marrë vendim për numrin e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuese që do të shtypen për zgjedhjet lokale 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të shtypen 1 milion e 800 mijë e 410 fletëvotime dhe po aq edhe për zgjedhjet për kuvendet komunale.
Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave e nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13 për qind apo 268 mijë e 688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 2 milionë e 25 mijë e 105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43 mijë e 993 votues.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2 mijë e 625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2 mijë e 571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.