
KQZ-ja emëron mbi 15 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për zgjedhjet lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve të 12 tetorit.
Sipas vendimit të KQZ-së, janë emëruar 14 mijë e 305, anëtarë të 2 mijë e 571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1 mijë 200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.
“Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve. Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2 571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime”, është thënë në njoftim.
Ndërkohë, në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ-ja ka marrë vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025.
“Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ”, ka njoftuar KQZ-ja.