KQZ-ja: Fushata zgjedhore për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që aktivitetet zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave, do të jetë nga 3 deri më 9 nëntor 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së për miratimin e planit të aktiviteteve, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që garojnë në raundin e dytë, do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë në orën 06:59 më 9 nëntor.
Po sipas vendimit të KQZ-së, nga 26 tetori deri më 29 nëntor, është planifikuar që të bëhet dërgimi i fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar gjatë raundit të parë dhe që i takojnë komunave ku do të mbahet raundi i dytë. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 27 tetor dhe do të përfundojë më 8 nëntor 2025.
KQZ-ja do t’i japë mundësi subjekteve politike që do të garojnë në raundin e dytë që të akreditojnë vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë vëzhguesit e akredituar. Kjo mund të bëhet nga data 28 tetor deri më 3 nëntor.
Edhe mediat, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit diplomatike, do të duhet që të konfirmojnë vëzhguesit e tyre nga 31 tetori deri më 3 nëntor 2025.



