KQZ-ja në pritje të datës, Elezi thotë se zgjedhjet do të organizohen me afate të shkurtra kohore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për “Epokën e re” se zgjedhjet do të organizohen me afate të shkurtra kohore dhe në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
“Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës dhe në pajtim me rrethanat. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.
Me planin e aktiviteteve, Elezi ka thënë se KQZ-ja rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit.
“Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje, afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ-ja cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, ka thënë Elezi.



