
KQZ-ja nuk e regjistroi partinë Lidhja Kosovare, kjo është arsyeja
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka regjistruar partinë e re, Lidhja Kosovare (Kosovski Savez), e cila drejtohet nga Goran Marinkoviq.
Pesë vota ishin për dhe katër abstenime. Kësisoj është refuzuar rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e partive politike për regjistrimin e kësaj partie të re.
Më parë, në mbledhjen e KQZ-së, anëtari i këtij institucioni nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, kishte bërë vërejtje të pjesa e programit politik të Lidhjes Kosovare të Kosovës pasi nuk i referohet me emrin kushtetues “Republika e Kosovës”.
KQZ-ja ka hequr nga rendi i ditës pezullimin e partisë politike Kosova Adalet Türk Partisi, për shkak se nuk e kishte dorëzuar brenda afatit ligjor, deri më 28 prill 2025, raportin e deklarimit financiar të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Siç është thënë në mbledhje, pas këtij afati kjo parti ka dorëzuar raportin për deklarimin financiar të fushatës zgjedhore dhe rrjedhimisht kanë pushuar arsyet për pezullimin e saj. Ndaj këtij subjekti politik, për shkak të mosdorëzimit të raportit financiar të fushatës brenda afatit ligjor, më 2 maj 2025, Zyra ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurove.