KQZ-ja publikon analizën për votimin me asistencë në zgjedhjet e 6 tetorit

09 shtator 2020 | 11:35

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar dokumentin për votimin me asistencë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur në tetorin e vitit të 2019.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se votimi me asistencë është një mundësi të cilën e ofron ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Sipas ligjit, një votues me aftësi të kufizuar, që nuk është në gjendje të shënojë ose të hedh fletëvotimin apo është analfabet, mund të marrë ndihmë nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi.

Duke folur për punën e KQZ-së në periudha jo-zgjedhore, Elezi është shprehur se ky institucion është angazhuar çdo herë pas të gjeturave nga zgjedhjet të përmirësojë dhe avancojë aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor, brenda mundësive që ofron ligji aktual.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, nga rreth 827 mijë votues sa kanë votuar në vendvotime në të gjithë Kosovën, 55 961 votues kanë votuar me asistencë apo 6.76 për qind, ka thënë Besnik Buzhala nga ky institucion.

Gjithashtu, sipas analizës së KQZ-së, numri më i madh i votuesve që kanë kërkuar asistencë është në vendvotimet të cilat ndodhen në fshatra.

Në 944 vendvotime që gjenden në qytete: 31 për qind apo 17 463 votues kanë votuar me asistencë, kurse në 1 592 vendvotime që gjenden në fshatra: 69 për qind apo 38 498 votues kanë votuar me asistencë, raporton “EO”.

Nga numri i përgjithshëm i votuesve me asistencë, KQZ-ja ka analizuar të dhënat për 9 074 votues. Ajo që bie në sy është se 6 586 votues (72 58 për qind) që kanë kërkuar asistencë gjatë votimit janë të gjinisë femërore, ndërsa 2 488 votues janë të gjinisë mashkullore (27 41 për qind).

Dokumenti në fjalë përmban edhe shumë detaje të tjera dhe sipas KQZ-së do të publikohet në uebfaqe të këtij institucioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë tre vite të lidhur dhe romanca e tyre duket…