KQZ-ja refuzon certifikimin e shtatë OJQ-ve, kërkon transparencë financiare

06 tetor 2025 | 16:23

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka miratuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar për të moscertifikuar shtatë organizata joqeveritare dhe vëzhguesit e tyre për zgjedhjet e 12 tetorit.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ngriti çështjen e burimeve të financimit të vëzhguesve.

Ai theksoi se është e domosdoshme të dihet nëse vëzhguesit janë vullnetarë apo të paguar, dhe nëse paguhen, nga vijnë mjetet financiare.

“Nëse vëzhguesit paguhen, duhet të dihet qartë prejardhja e mjeteve. Transparenca për fondet është e domosdoshme, pasi çdo shfrytëzim i mjeteve publike lidhet drejtpërdrejt me interesin publik”, tha Kurteshi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se edhe pagesat simbolike për një numër të madh vëzhguesish, siç është rasti me 259 persona, përbëjnë një shumë të konsiderueshme, e cila duhet të jetë e justifikuar dhe e dokumentuar.

Në të njëjtën mbledhje, KQZ miratoi gjithashtu procedurat për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2025. Dokumenti i miratuar përshkruan në mënyrë të detajuar të gjitha proceset dhe aktivitetet që do të zhvillohen në QNR.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit,…