KQZ-ja: Rezultatet përfundimtare mund të shpallen shumë më herët se më 19 janar
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se rezultatet përfundimtare mund të shpallen më herët sesa që ishte planifikuar (më 19 janar).
“Nga kjo mund të përfundojmë se edhe rezultatet përfundimtare të planifikuara për t’u shpallur më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen shumë më herët”, ka thënë Elezi.
Ai ka theksuar se në planifikimet e KQZ-së, përfundimi i aktiviteteve në QKN është paraparë të bëhet deri më 7 janar, por sipas dinamikës së punës kjo është arritur në mesditën e 3 janarit.
“Numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike dhe nga votimi me postë ishte planifikuar të bëhet nga data 7 janar, por ka përfunduar më 3 janar. Gjithashtu, edhe numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta ishte planifikuar të fillonte më 16 janar, por sipas planifikimeve kjo mund të fillojë gjatë ditës së sotme”, ka theksuar Elezi.



