KQZ-ja: S’ka më fletëvotime për t’u numëruar, palët mund të ankohen brenda 48 orëve

09 janar 2026 | 13:38

12 ditë pas ditës së zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka arritur që ta përfundojë numërimin e votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit të 2025-ës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për “Ekonomia Online” ka thënë se tani palët kanë 48 orë kohë për t’u ankuar, e ku pas përfundimit të këtyre, atëherë KQZ do t’i shpall rezultatet përfundimtare.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike, KQZ-ja është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë Elezi.

Elezi ka thënë se numërimi i votave për 12 ditë, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase.

“Të premten, në ora 02:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës. Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Përfundimi i krejt këtij procesi vjen vetëm 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve, përbën një kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Përfunduan zgjedhjet klienteliste: Zgjedhjet e…