
KQZ-ja: U numëruan 89 nga 187 kuti votimi nga votat me postë, rezultatet do të shfaqen shpejt në platformën online
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka treguar se janë numëruar 89 nga 187 kuti të votimit që u takojnë votuesve nga komuna të ndryshme që kanë votuar me postë.
KQZ-ja ka njoftuar se po vazhdon numërimi i votave me postë. Procesi u përshkrua si “transparent”, ndërsa institucioni që organizon zgjedhjet publikoi edhe një tabelë ku “pasqyrohet progresi i numërimit”.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës. Deri të dielën, më 2 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 89 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, të dielën pasdite, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit që u takojnë komunave Prishtinë, Prizren, Podujevë, Pejë, Rahovec, Gjilan, Lipjan dhe Istog”, ka njoftuar KQZ-ja.
Pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, KQZ-ja ka bërë me dije se ato do të shfaqen në platformën online “brenda një kohe të shpejtë”.
“Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar. Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar, brenda një kohe të shpejtë do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net”.
“Numri i pakove të supozuara me fletëvotime dhe që janë aprovuar nga KQZ, pas procesit të vlerësimit, është më shumë se 63 mijë sosh”, ka njoftuar KQZ-ja.