KQZ-ja vendos për afatet kryesore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alban Krasniqi, në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, ka thënë se afatet e propozuara nga sekretariati rrezikojnë votimin e mërgatës dhe se dërgimi i fletëvotimeve origjinale nga 12 dhjetori është praktikisht i pamundur të mbërrijnë me kohë për shkak të vonesave postare.
Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka thënë se KQZ-ja përcakton procedurat, afatet dhe rregullat për votimin me postë, ndërsa e drejta e votës bazohet në ligj.
Ai ka theksuar se për herë të parë në zgjedhjet lokale është zhvilluar një proces i diasporës me integritet, duke dërguar fletëvotime origjinale dhe duke respektuar plotësisht rregullat ligjore.
Më tutje, anëtari tjetër KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se dërgimi i fletëvotimeve me postë po rezulton problematik për shkak të vonesave që nuk varen nga institucioni.




