KQZ: Numërohen 49 nga 57 vendvotimet me kusht, procesi pritet të përfundojë sot
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas KQZ-së, deri të martën, më 6 janar 2026, në orën 16:00, janë numëruar fletëvotimet në 49 nga gjithsej 57 vendvotime ku ishte mundësuar votimi me kusht, ndërsa procesi përfshin edhe numërimin e votave të personave me nevoja të veçanta.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në sistem janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për këtë formë votimi, ndërsa 2,860 votues ishin të regjistruar në programin e votimit për persona me nevoja të veçanta. Ndërkohë, në platformën online të KQZ-së kanë nisur të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, në përputhje me dinamikën e numërimit të fletëvotimeve
Njoftimi i plotë:
Dita e nëntë (16:00) – Në QNR vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, numërohen 49 nga 57 vendvotimet
Prishtinë, 6 janar 2026 (E martë, ora 16:00) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.
Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme.
Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.
Në ndërkohë, në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.



