KQZ: Verifikohen dhe numërohen mbi 65% vendvotimeve, aprovohen mbi 28 mijë pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës

16 tetor 2025 | 17:51

Të dhëna të reja ka prezantuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga dita e katërt pas ditës së zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat u mbajtën më 12 tetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, se deri të enjtën (16 tetor) në orën 16:00, mbi 65% e vendvotimeve kanë përfunduar procesin e numërimit të votave të kandidatëve për Kuvende Komunale si dhe të verifikimit të rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale

“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e enjte, janë verifikuar rezultatet për 1,689 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,668 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,668, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,357”, ka thënë Elezi.

Po sipas KQZ-së, deri më tani, aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 17 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë dhe Dragash (e enjte).

Po ashtu, KQZ ka treguar se janë duke vazhduar me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës, të cilat janë sjellur në Kosovë, deri më tani.

“Deri të enjten, në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 32,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 28,200, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,700. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,328 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimin jashtë Kosovës përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

“Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”, njoftoi Elezi./EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pranuar se ka filluar…