Kraja: Marrëveshja e Uashingtonit s’mund të quhet historike

01 tetor 2020 | 23:59

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, ka thënë se nuk e sheh si ‘historike’ marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj që është ndonjë marrëveshje historike; pasi të bësh historinë është një punë pak më e ngatërruar. Është më shumë marrëveshje politike dhe e cila i ka shërbyer dhe i shërben momentit politik, edhe të Amerikës, por edhe Serbisë, ndërsa më pak Kosovës”.

Kraja në Rubikon në Klan Kosova, ka theksuar që kjo marrëveshje, më shumë i shërben Amerikës dhe Serbisë, secilës për shkak të interesave të tyre.

“I ka shërbyer Amerikës, sepse Amerika po shihet që e përdor. Presidenti aktual, Trump e përdorë për fushatën e tij. Edhe Serbisë, pasi iu kanë vënë disa detyra, që duhet t’i kryejë dhe të cilat marrëveshja e Uashington i ndihmon që t’i realizojë; veçmas rreth integrimeve europiane dhe disa proceseve që duhet të zhvillohen në raport me Kosovën”.

Sipas Krajës, Kosovës i nevojitet më pak kjo marrëveshje, pasi ka ’emergjenca tjera më të mëdha’.

“Kosovës i shërben më pak, pasi nuk ka ndonjë emergjencë në drejtim të punëve të ngutshme me Serbinë. Mirë do të ishte të bëhej, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, por ajo nuk është afër dhe nuk ka gjasa të bëhet”, ka thënë ai.

Kraja theksoi se sipas tij, nuk do t’i kishim prishur raportet me SHBA-të, edhe nëse do të ishte insistuar në pikën për njohje reciproke.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konfliktet vazhduan edhe për ditën e pestë me radhë mes…