
Kraja: Me Bukoshin ishim të prerë për politikën e synimeve utopike, donim që Kosova të ishte ndryshe
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në fjalën e tij në mbledhjen përkujtimore për ish-kryeministrin e Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ka thënë se nuk ka dalë të flasë në emër të ndonjë institucioni apo ndonjë pushteti, por në emër të miqësisë dhe të vlerave që lidhen me Bukoshin
Ai ka folur për figurën e Bukoshit dhe rolin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, si dhe për Bukoshin si mikun e tij.
“Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë pa asnjë pretendim. As për të ndryshuar botën as për të ndryshuar rregullat e jetës. Thjesht u nisëm nga një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve të sërës sonë – më shumë të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme për t’u përballur së fundi, jo me dimensionin abstrakt të një ideali, por me përmasat reale të një bote e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të gjitha ëndrrat. Megjithatë, ne e bëmë pjesën tonë të historisë”, ka thënë ai.
Në bisedat tona të gjata, ka thënë Kraja, që nga fillimi donim që Kosova të ishte ndryshe dhe doli se ne nuk ishim opozitë e askujt.
“Thjesht ishim opozitë e pamundësive tona. Opozitë e një realiteti që nuk lë shumë vend për idealizëm”.
“Nuk ishim asnjëherë të prerë për politikën e rezultateve të pritshme, por ishim të prerë për politikën e synimeve utopike, atje ku siç është e ditur nuk mund të arrijë shumëkush”, ka thënë Kraja.
Më tutje, akademik Kraja ka folur edhe për kohën kur ishte njohur me Bukoshin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Me Bukoshin u njohëm në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për bindjen time ne përbënim krahun më autentik të këtij organizimi sepse nuk kishim interesa, kishim vetëm synime. Ky krah autentik nuk kërkoi dhe nuk mori mirënjohje dhe dekorata. Asnjëherë, asnjë për vete. Deshi vetëm që kjo histori suksesi të mos ishte vetëm një ëndërr e pajetuar”.
“Kohët që kërkojnë heronj janë kohë të vështira. Janë kohë me shumë kontradikta që mbi të gjitha kërkojnë sakrificë, kurajë, guxim, ndershmëri. Bujar Bukoshi e përballoi këtë kohë të vështirë dhe përkundër ëndrrave të këqija që dikush mund të shihte për të. U prehsh në paqe mik!”, ka thënë Kraja.