Krasniqi: Ditë e mirë për komunat dhe për Kosovën

09 nëntor 2025 | 11:15

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pasi hedhi votën e tij për kryetarin e ardhshëm të Komunës së Prishtinës, ka ftuar qytetarët që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit, raporton Ekonomia Online.

“Sot, në të gjitha komunat ku zhvillohet raundi i dytë i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, i ftoj qytetarët e vendit tonë të dalin dhe të marrin pjesë, pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë, sepse secili prej tyre duhet dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë për katër vitet e ardhshme. Shpresojmë që do të kemi një dalje masive dhe substanciale, e cila vërtet do të reflektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Uroj që edhe ky proces të zhvillohet me rregull, ashtu siç ka shkuar edhe raundi i parë, dhe që qytetarët vërtet të vendosin për të ardhmen e tyre ashtu siç dëshirojnë ata”, tha ai.

Ndërkohë ditën e sotme e ka quajtur të mirë për komunat dhe Kosovën, duke theksuar se sot do të përmbyllet procesi i cili i jep drejtim vendit për katër vitet e ardhshme.

“Është një ditë e mirë për komunat dhe për Kosovën, dhe besoj se sot përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim vendit tonë për katër vitet e ardhshme. Unë jam qytetar i Prishtinës; pavarësisht se zgjedhja ime e parë ndonjëherë mund të mos jetë në garë në raundin e dytë, konsideroj se është obligim i të gjithëve që, me votën e tyre, të shprehin atë që mendojnë”, deklaroi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka…