Krasniqi i ashpër me Kurtin e Dejona Mihalin: Patriotizmin mund ta mësojmë nga shqiptarët, jo nga grekët

10 tetor 2025 | 21:42

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur sonte për zhvillimet e fundit politike në vend, duke kritikuar ashpër Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për marrëdhënien e tij të afërt me Dejona Mihalin.

Krasniqi tha se e shqetëson fakti që Kurti e mban afër Mihalin, duke shtuar se Kosova ka mjaft njerëz të mençur që mund ta zëvendësonin atë.

“Çka thotë një greke e Shqipërisë që këtu shitet si shqiptare e madhe, unë jo që nuk mërzitna, por as nuk e marr parasysh. Patriotizmin mund me na e dhanë shqiptarët më shumë se grekët, kryesisht. Për mua është shqetësuese pse Albin Kurti e ka kaq afër dhe i beson kaq shumë. A nuk ka mujt me gjetë një njeri të mençur në Kosovë, qoftë edhe pak sa Dejona, nëse ajo i doket e mençur?”, deklaroi Krasniqi në T7.

Sa i përket formimit të qeverisë së re pas konstituimit të Kuvendit, Krasniqi tha se mandati i parë për krijimin e qeverisë i takon Vetëvendosjes, si partia me numrin më të madh të deputetëve.

“Momentalisht nuk ka konfuzitet, sepse Kushtetuta, bazuar në aktgjykimet e mëhershme, e përcakton qartë që tentimi i parë i jepet partisë që ka marrë më shumë deputetë. Nëse VV nuk arrin t’i sigurojë 61 vota, atëherë i mbetet presidentes të vlerësojë kush mund ta formojë qeverinë”, u shpreh ai.

Krasniqi theksoi se nëse presidentja i jep mandatin PDK-së, ai e ka për detyrë të provojë ta formojë qeverinë, megjithëse shpresat nuk janë të mëdha për shkak të mungesës së vullnetit në kampin opozitar.

“Nëse na e jep neve, si partia e dytë, unë e kam obligim me tentu. Por sot nuk kam shumë shpresa që ka vullnet nga ish-opozita. Megjithatë, jam i bindur që për nëntë muaj kishim punu më shumë se këta për katër vjet”, tha ai.

Kryetari i PDK-së përfundoi duke thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe për një qeveri që punon me përkushtim e rezultate, jo me retorikë e përçarje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur…